Kompania gjigande Gjermane BMW ka në planet e saj ndërtimin e një makine elektrike të tipit fouristradë, që shkon deri në 700 kilometra me një karikim, raporton TechSot.Al.

Rivali kryesor i kësaj makine sigurisht që do të jetë kompania Amerikane e Elon Musk, Tesla. Për të vënë gjërat në perspektivë, vetura Model S e Tesla-s arrin deri në 540 km/karikim, ndërsa vetura më e leverdisshme, Model 3, arrin deri në 498 km/karikim. Ndërsa fouristrada e tanishme e Tesla-s, Model X, arrin ‘vetëm’ 466 km/karikim.

Duke marrë parasysh këto shifra, Tesla do të ketë një rival me të vërtetë të fortë, pasi makina e BMW mund të të çojë nga Shkodra deri në Sarandë me një karikim të vetëm. Por TechSot.Al ka mësuar se BMW planifikon të lançojë prototipin e kësaj makine në vjeshtën e këtij viti, dhe ndërtimi i makinave për rrugë nuk do të ndodhë deri në 2020-2021.

BMW ka quajtur flotën e ardhshme të makinave elektrike ‘iNext’, një koncept që e prezantoi në Panairin Automobilistik të Detroitit. /TechSot.Al/

Skip to toolbar